Mjekësi Veterinare
Informata të përgjithshme për programin e studimit: Msc në “Mjekësi Veterinare” (IKS) 2024-2027
Përmbledhje e Programit
Misioni, objektivat dhe administrimi
Misioni
Misioni i programit të studimit në Mjekësi Veterinare është përgatitja e profesionistëve dhe shkencëtarëve të kualifikuar, të aftë për të kontribuar në mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve dhe shëndetit publik.
Programi synon të mbulojë në mënyrë gjithëpërfshirëse shëndetin e kafshëve blegtorale si dhe të kafshëve të shoqërimit, të cilat po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqëri.
Nëpërmjet formimit shkencor dhe profesional, programi mbështet parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve me patogjenitet të lartë te kafshët prodhuese, parandalimin e sëmundjeve zoonotike dhe kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë ushqimore, si dhe në mbrojtjen e shëndetit publik.
Objektivat
Objektivat e programit të studimit në Mjekësi Veterinare synojnë ruajtjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të cilësisë së edukimit veterinar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, si institucioni i vetëm publik i këtij profili në Republikën e Kosovës. Programi ka për qëllim krijimin e mundësive për thellimin e njohurive shkencore dhe profesionale të studentëve, si dhe për zhvillimin e studimeve të avancuara, përfshirë studimet e doktoratës, në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit të lartë.
Një objektiv i rëndësishëm i programit është forcimi dhe modernizimi i kapaciteteve klinike dhe laboratorike, përmes pasurimit të infrastrukturës ekzistuese me pajisje diagnostikuese bashkëkohore dhe zgjerimit të shërbimeve praktike në fushat e mjekësisë klinike, sëmundjeve infektive (bakteriale, virale dhe parazitare) dhe higjienës e sigurisë ushqimore. Paralelisht, programi synon rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes angazhimit të stafit akademik dhe teknik, me theks të veçantë në forcimin e rolit të asistentëve dhe personelit mbështetës, si një parakusht për zhvillimin cilësor të mësimdhënies dhe praktikës profesionale.
Programi ka për objektiv përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe shërbime akademike, duke promovuar metoda bashkëkohore dhe kreative të të nxënit, si dhe forcimin e kompetencave profesionale të stafit. Në këtë kuadër, bashkëpunimi ndërdisiplinor dhe ndërinstitucional përbën një prioritet strategjik, përmes zhvillimit të projekteve kërkimore të përbashkëta në nivel universitar, kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Programi mbështetet në parimet e profesionalizmit, integritetit akademik dhe diversitetit, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës që nxit ekselencën në arsim, kërkim dhe inovacion.
Rezultatet e të nxënit
Rezultatet e të nxënit janë të përcaktuara në përputhje me misionin dhe objektivat strategjike të Fakultetit të Bujqesise dhe Veterinarise dhe janë të harmonizuara me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe praktikat më të mira evropiane të arsimit të lartë. Prandaj, pas përfundimit me sukses të studimeve Mjekesi Veterinare, studenti do të jetë në gjendje të:
- Identifikojë dhe shpjegojë në mënyrë praktike strukturën dhe funksionin normal të organeve dhe sistemeve të kafshëve shtëpiake, kafshëve shoqëruese, kafshëve të egra dhe ekzotike nën kujdesin e njeriut, si dhe të peshqve dhe bletëve.
- Zbatojë njohuritë mbi riprodhimin, higjienën dhe ushqimin e kafshëve, duke përdorur teknologji të përshtatshme në proceset e prodhimit ushqimor.
- Vëzhgojë dhe interpretojë sjelljen e kafshëve, duke qenë në gjendje të vlerësojë mirëqenien e tyre dhe të aplikojë masa të mbrojtjes.
- Diagnostikojë dhe trajtojë sëmundjet infektive dhe jo-infektive, duke njohur shkaqet, natyrën, zhvillimin, efektet dhe pasojat e tyre tek kafshët dhe njerëzit (zoonozat).
- Zbatojë parimet e sigurisë ushqimore në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, duke respektuar legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar për produktet me origjinë shtazore.
- Përdorë strategji të mjekësisë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe të njerëzve përmes kontrollit, vaksinimit dhe masave bio-sigurie.
- Aplikoje teknikat e higjienës dhe të teknologjisë së ushqimit në prodhimin e ushqimeve për kafshët dhe produkteve për konsum njerëzor.
- Ushtrojë kompetenca profesionale në fushën e mjekësisë veterinare, duke integruar njohuritë teorike me aftësi praktike klinike dhe laboratorike.
- Zbatojë me saktësi ligjet, rregulloret dhe udhëzimet administrative që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, sigurinë ushqimore dhe praktikën veterinare.
Perspektiva e studimit
Të diplomuarit nga ky program do të jenë të përgatitur për të punuar në një gamë të gjerë institucionesh dhe ndërmarrjesh publike ose private, duke përfshirë:
- Klinika veterinare për kafshët e fermës dhe kafshët e vogla
- Inspeksionin veterinar për Kontrollin e Shëndetit të Kafshëve dhe Kontrollin e Ushqimeve me origjinë shtazore (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës)
- Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
- Shkollat e mesme profesionale,
- Komuna dhe Inspektoratin Republikan,
- Doganat,
- Fermat e prodhimit të kafshëve (lopë, dele, dhi, shpendë për prodhimin e vezëve)
- Industrinë farmaceutike
Gjithashtu, pas përfundimit te ketij programi të diplomuarit do të jenë të përgatitur për të vazhduar studimet në nivelin Doktoratë në fushën përkatëse.