Sot, në kampusin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, në hapësirat e Fermës Didaktike Eksperimentale, u vendos gurthemeli për ndërtimin e stallës së re të bagëtive. Ky investim i rëndësishëm shënon një moment të veçantë në zhvillimin e infrastrukturës mësimore dhe kërkimore të fakultetit.
Ndërtimi i kësaj stalle moderne do të krijojë kushte më të avancuara për zhvillimin e mësimit praktik, duke u mundësuar studentëve të përfitojnë njohuri dhe aftësi konkrete në fushën e veterinarisë, blegtorisë dhe menaxhimit të fermave. Gjithashtu, kjo hapësirë do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për realizimin e kërkimeve shkencore dhe projekteve inovative në sektorin agro-ushqimor.
Kjo ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë si një qendër e avancuar akademike dhe kërkimore, si dhe drejt thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ky projekt/aktivitet mbështetet nga Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë (IWRM-K), program i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeverisë së Kosovës, i zbatuar nga Skat Consulting Ltd. (Zvicër) në konsorcium me Agjencinë Austriake të Mjedisit (EAA).
Në kuadër të këtij programi të përbashkët është mundësuar realizimi i këtij projekti të rëndësishëm, duke dëshmuar mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe arsimit të lartë në vend. Prandaj, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë ndaj Qeverisë Zvicerane, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Qeverisë së Kosovës, si dhe partnerëve zbatues Skat Consulting Ltd. dhe Agjencisë Austriake të Mjedisit (EAA) për mbështetjen e çmuar në realizimin e këtij projekti, i cili kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vend.








