Trajnimi profesional bujqësor: Profesorët e UP-së në Francë për ndërtim kapacitetesh

11 Shkurt 2025
SHARE

Nga data 29 deri më 31 janar 2025, profesorët nga Universiteti i Prishtinës kanë marrë pjesë në takimin hapës të projektit „INSIST-VAT”, në kuadër të Ermasus +, që ka për qëllim Ndërtimin e Kapaciteteve në Fushën e Trajnimit Profesional Bujqësor (CB-VET). 

Në takimin që është mbajtur në Montpellier/Francë, në ambientet e Institutit Agronomik Mesdhetar (CIHEAM-IAMM), morën pjesë 20 persona që përfaqësojnë 8 partnerët nga 4 vende të përfshira (Shqipëria, Kosova, Spanja dhe Franca), të cilët punuan mbi organizimin e aktiviteteve të ardhshme, udhëheqjen e konsorciumit, si dhe çështjet administrative dhe financiare. 

Nga Universiteti i Prishtinës, në këtë takim kanë marrë pjesë profesorët: Blerta Mehmedi, Bekim Gashi dhe Ilirjana Miftari. 

Partnerët e përfshirë në projekt janë: CIHEAM - Instituti Agronomik Mesdhetar i Montpellier, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Qendra e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore - Fushë Krujë, Universiteti i Prishtinës CIHEAM - Instituti Agronomik Mesdhetar i Zaragozës, Qendra e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore Korçë „ACTA QUARES”. 

Gjatë takimit u organizuan gjithashtu vizita në organizata që veprojnë në fushën e trajnimit profesional bujqësor, si: Fédération Régionale des CIVAM d’Occitanie dhe CFPPA Montpellier. 

Qëllimi i projektit „INSIST-VAT” është krijimi i një programi trajnimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), duke përfshirë aktorë kombëtarë dhe rajonalë, për të shërbyer si bazë për sistemin e njohurive dhe inovacionit në bujqësinë shqiptare. 

Ky projekt është konceptuar për të përmbushur objektivat e vendosura për UBT-në nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë, të cilat përfshijnë krijimin e një qendre trajnimi për prodhuesit dhe ofrimin e kurseve të përshtatura për nevojat e fermerëve dhe specialistëve të shërbimit këshillimor. 

Së shpejti një faqe interneti e dedikuar për projektin do të jetë online! „INSIST-VAT është një projekt CB-VET Erasmus+, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.