Universiteti i Prishtinës në shërbim të mbrojtjes së „Bondsteel”-it nga sëmundjet infektive

06 Dhjetor 2024
SHARE

Një projekt hulumtues i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe ushtrisë amerikane është duke identifikuar rriqrat, por edhe krijesat tjera që mund të bartin virusë, baktere e parazitë të rrezikshëm për ushtarët dhe popullatën në zonën e Kampit „Bondsteel”. 

Projekti po zbatohet në terren nga Njësia e Kërkimeve Mjekësore Detare e ShBA-së (NAMRU - EURAFCENT) dhe Departamenti i Mjekësisë Veterinare i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës. 

Njësia (NAMRU- EURAFCENT) është institut kërkimor për sëmundje infektive i Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me seli në Napoli të Italisë, ndërsa kryen kërkime shkencore dhe iniciativa të mbrojtjes së shëndetit publik në Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Juglindore, Afrikën Veriore dhe Perëndimore dhe në të gjithë Lindjen e Mesme. 

Udhëheqës shkencorë të këtij bashkëpunimi hulumtues janë dr. Matthew Montgomery nga ushtria amerikane dhe prof. Kurtesh Sherifi nga Universiteti i Prishtinës. 

Sipas profesorit Sherifi, deri tash janë identifikuar rreth 2 mijë mostra të rriqrave brenda kampit „Bondsteel” dhe zonave përreth, të cilave duhet bërë analiza laboratorike për të vërtetuar nëse bartin viruse a baktere të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. 

Në Kosovë, disa vende të kufizuara në komunën e Malishevës dhe më rrallë në disa komuna tjera, janë zona ku rriqrat mund të bartin virusin dhe shkaktojnë ethet hemorragjike Krime- Kongo. Këto krijesa parazitare janë bartëse edhe të virusit të Encefalitit, një infeksion që mund ta dëmtojë trurin dhe bakteres Borrelia burgdorferi që shkakton sëmundjen „Lyme” që shfaqet me ethe, dhimbje koke e lodhje ekstreme. 

Pas rriqrave, projekti i komponentës mjekësore të ushtrisë amerikane dhe Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Prishtinës, synon të identifikojë, mes tjerash, po në kampin „Bondsteel”, shkaktarët e sëmundjeve që mund të bartin mushkonjat.