Mbrojtja e Bimëve-Fitomedicinë
Informata të përgjithshme për programin e studimit : MSc- Mbrojtja e Bimëve-Fitomedicinë
Përmbledhje e Programit
Misioni, objektivat dhe administrimi
Misioni
Misioni i programit të studimit Mbrojtja e bimëve-Fitomedicinë është të shkollojë specialistë në fushën e mbrojtjes së bimëve, përkatësisht në fushat e fitofarmacisë, fitopatologjisë, entomologjisë dhe herbologjisë. Programi synon të krijojë dhe zhvillojë traditën shkencore të studimeve në fushën e mbrojtjes së bimëve, të transmetojë njohuri dhe kompetenca bashkëkohore te ekspertët e ardhshëm, si dhe të prodhojë të diplomuar me bazë të fortë teorike dhe praktike në mbrojtjen e bimëve.
Po ashtu, programi synon t’i pajisë të diplomuarit me aftësi analitike për të kuptuar në mënyrë të thelluar çështjet aktuale në fushën e mbrojtjes së bimëve, me të cilat përballen sot fermerët në vendin tonë, si dhe të sigurojë vazhdimësinë dhe kontinuitetin akademik të Departamentit të Mbrojtjes së bimëve.
Vizioni i programit të studimit Mbrojtja e bimëve-Fitomedicinë është të përmbushë interesin afatgjatë për krijimin e perspektivës për gjeneratat e reja, përmes modernizimit dhe reformimit të sistemit të arsimit, në përputhje me kërkesat e tregut të punës në Kosovë, si dhe me proceset e integrimit rajonal dhe Evropian në fushën e mbrojtjes së bimëve.
OBJEKTIVI KRYESORË I KURRIKULES
Kurrikula e programit të studimit Mbrojtja e bimëve-Fitomedicinë” është e bazuar në një program të përzgjedhur studimi si model, përkatësisht në Kursin e Përbashkët Ndërkombëtar për Mbrojtje të bimëve, të zhvilluar në kuadër të projektit TEMPUS IV (158875-TEMPUS-1-2009-1-IT-TEMPUS-JPCR), me pjesëmarrjen e Universiteteve partnere nga rajoni dhe Evropa. Kurrikula përmban listën dhe strukturën e lëndëve dhe moduleve obligative dhe zgjedhore, së bashku me përshkrimet përkatëse të tyre.
Programi i studimit Master në Mbrojtjen e bimëve-Fitomedicinë përmban gjithsej 120 kredi ECTS, që përbëjnë numrin minimal të kredive që duhet të përfundojë çdo student. Nga totali i kredive, minimumi 72 kredi realizohen përmes lëndëve obligative dhe 18 kredi përmes lëndëve zgjedhore, përkatësisht 30 kredi për çdo semestër, si dhe 30 kredi për temën e Masterit.
Në dy semestrat e parë, studentët janë të obliguar të ndjekin dhe të përfundojnë gjithsej tetë (8) lëndë tematike obligative. Lëndët zgjedhore janë të planifikuara për semestrin e dytë dhe të tretë, ku, përveç lëndëve të detyrueshme, studentët mund të zgjedhin tre (3) lëndë nga gjithsej gjashtë (6) lëndë zgjedhore të ofruara.
Një kredi ECTS ka vlerën e 25 orëve pune studentore, të cilat përfshijnë ligjërata, ushtrime praktike, punëtori, ekskursione, projekte dhe provime. Përgatitja, shkrimi dhe mbrojtja e temës së Masterit përbën pjesë integrale të programit të studimit Master në Mbrojtjen e bimëve – Fitomedicinë dhe është ekuivalente me 30 kredi ECTS. Tema e Masterit duhet të zgjidhet në fusha përkatëse që lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e bimëve.
Struktura dhe lëndët e ofruara në këtë program studimi sigurojnë njohuri të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në fushën e mbrojtjes së bimëve. Për më tepër, lëndët zgjedhore u mundësojnë studentëve të specializohen dhe të përgatiten në përputhje me interesat e tyre profesionale dhe shkencore.
Kurrikula e studimeve Master në Mbrojtjen e bimëve synon rritjen e kapaciteteve akademike, përmirësimin e dukshmërisë dhe atraktivitetit të programit, si dhe avancimin e pozicionimit të të diplomuarve në tregun e punës, përmes zhvillimit të kurrikulave bashkëkohore që përputhen me kërkesat e tregut. Gjithashtu, programi mundëson diskutimin e çështjeve aktuale në fushën e mbrojtjes së bimëve, si dhe transferimin e informacionit dhe njohurive që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.
Njohuritë dhe aftësitë e fituara përmes programit të studimit Mbrojtja e bimëve-Fitomedicinë u mundësojnë studentëve aplikimin e suksesshëm të njohurive profesionale për zgjidhjen e problemeve komplekse në mjedise të reja ose të panjohura, veçanërisht në kontekstin shkencor dhe praktik të mbrojtjes së bimëve.
Të diplomuarit e programit të studimitMbrojtja e bimëve-Fitomedicinë, niveli Master, fitojnë kualifikime që u mundësojnë atyre të kryejnë veprimtari praktike dhe shkencore në fushën e mbrojtjes së bimëve. Pas përfundimit të studimeve, ata janë të aftë të punojnë në institute hulumtuese shkencore, në sektorin publik dhe privat, si dhe në shoqata dhe organizata të ndryshme bujqësore që kanë nevojë për ekspertë të fushës së mbrojtjes së bimëve.
Në kuadër të këtij programi Master, të diplomuarit zhvillojnë një shkallë të lartë profesionalizmi, i cili u mundëson atyre të veprojnë me përgjegjësi dhe të reflektojnë në mënyrë kritike mbi fushën e tyre profesionale.
Programi i studimitMbrojtja e bimëve-Fitomedicinë, i nivelit Master, korrespondon me parimet dhe objektivat e Universitetit të Prishtinës (UP) dhe Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV), duke kontribuar në avancimin e mësimdhënies dhe nxënies, zhvillimin e hulumtimit shkencor, si dhe rritjen e kontributit në ekonomi dhe shoqëri, në përputhje me objektivat e programit të përshkruara më lart.
Programi i studimit është në përputhje të plotë me parimet udhëheqëse të institucionit dhe bazohet në sistemin e Bolonjës, duke siguruar standarde të krahasueshme evropiane në arsim të lartë.
ADMINISTRIMI
Programi i studimit Mbrojtja e bimëve-Fitomedicinë, i nivelit Master, që ofrohet nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, do të administrohet nga Departamenti i Mbrojtjes së bimëve, nën mbikëqyrjen e organeve relevante të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Misioni i këtij programi është në përputhje të plotë me misionin e Universitetit të Prishtinës, të përcaktuar në aktin më të lartë juridik të tij Statutin e UP-së
(https://uni-pr.edu/inc/doc/statuti1.pdf).
Programi është i mbështetur në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK), sipas së cilës ky program studimi i takon nivelit 7, që përfshin përgatitjen e studentëve për studime të avancuara dhe të specializuara, në këtë rast në fushën e bujqësisë. Po ashtu, kjo fushë studimi është në përputhje me Erasmus Subject Area Codes (ESAC), konkretisht me kodin 01.1.
Sa i përket aspektit administrativ, ekzistojnë politika, udhëzime dhe rregullore formale që lidhen me programin e studimit. Të gjitha këto dokumente janë në dispozicion të publikut në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës. Në UP, procesi i zhvillimit të programeve të studimit realizohet në mënyrë të planifikuar dhe sistematike. Formulimi i programit të studimit nuk konsiderohet si përfundimi i procesit të zhvillimit, por si një hap thelbësor brenda një procesi të vazhdueshëm të përmirësimit dhe zhvillimit të programit.
IKS Syllabuset : Mbrojtja e bimëve-Fitomedicine
Publikuar me: 27/01/2026
Shkarko