Shkenca e Ushqimit

Informata të përgjithshme për programin e studimit : MSc- “Shkenca e Ushqimit” (IKS) 2024-2027

Përmbledhje e Programit

Misioni, objektivat dhe administrimi

 

Misioni 

Misioni i këtij programi studimor është të bëjë përgatitjen e specialistëve dhe shkencëtarëve në Shkencat Ushqimore, të aftë të kontribuojnë në të gjitha etapat e zinxhirit ushqimor (manipulimin dhe transformimin e lëndëve të para me origjinë bimore, shtazore e bioteknologjike, ambalazhimin, ruajtjen dhe tregëtimin e produkteve ushqimore), përfshirë garantimin e cilësisë së proceseve e produkteve, me anën e zbatimit të sistemeve të sigurimit të cilësisë së ushqimit dhe administrimit të saj, nëpërmjet promovimit dhe pjesëmarrjes së studentëve e personelit akademik dhe njësive të FBV në programe të avancuara të edukimit, kërkimit dhe trainimit në fushat e mësipërme.

Duke marrë parasysh hendekun ekzistues ndërmjet kërkesës së tregut të punës për ekspertë të kualifikuar në shkencat ushqimore dhe ofertës aktuale, e cila shpesh plotësohet me profile të afërta, por jo me atë të Teknologut Ushqimor, qëllimi ynë është të adresojmë drejtpërdrejt këtë mospërputhje. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se angazhimi i Teknologut Ushqimor përbën tashmë një detyrim ligjor për të gjithë operatorët ushqimorë në Kosovë. Përmes këtij angazhimi synojmë të kontribuojmë në forcimin e kapaciteteve profesionale në sektorin ushqimor dhe në përmirësimin e cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë ligjore të produkteve ushqimore.

 

Objektivat e programit

Objektivë e jona është pasurimi dhe ngritja e kapaciteteve laboratorike dhe modernizimi i atyre ekzistuese me pajisje më të sofistikuara të kontrollit të ushqimeve si dhe ngritja e një qendre didaktike prodhuese për: përpunimin e mishit, qumështit dhe fruta-perimeve, krahas asaj ekzistuese për prodhimin e verës.

Ngritja e nivelit të cilësisë – objektivë e jona mbetet që vazhdimisht të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies, hulumtimit dhe rritjen e aftësisë së stafit për të ofruar mundësi më të mira arsimore për studentët tanë.

Kreativiteti dhe Inovacioni – Sigurimi i metodave të reja të mësimdhënies përmes qasjeve kreative në mësimdhënie, shërbim dhe hulumtim.

Bashkëpunimi – Kontributi i të gjithëve është i shumë rëndësishëm. Bashkëpunimi është baza për sukses në fakultetin tonë. Projektet dhe programet ndërdisiplinore kërkimore do të zhvillojnë frymën e bashkëpunimit. Aktualisht fakulteti ynë është partner në disa projekte të ndryshme me universitete tjera brenda dhe jashtë vendit. Objektiv i yni mbetet vazhdimi i promovimit të bashkëpunimit ndërdisciplinor, ndërmjet njësive akademike të Universitetit të Prishtinës, bashkëpunimit ndëruniversitar vendor, rajonal, evropian dhe më gjerë.

Profesionalizmi – Ne vlerësojmë profesionalizmin në mësimdhënie dhe kërkime, si dhe kërkojmë integritet nga stafi i fakultetit dhe studentët tanë.

Diversiteti – Fakulteti ynë ofron programe të ndryshme akademike dhe perspektiva në vendin e punës të vlefshme për përsosmëri ndërdisiplinore të hulumtimit.

Industria ushqimore në Kosovë është në fazat e hershme (fillestare) të zhvillimit të saj. Megjithatë, ka shumë reparte të aprovuara për përpunimin dhe paketimin e qumështit, thertore për lopë, fabrika për përpunimin e mishit, therrtore për pula dhe lepuj, reparte për përpunimin e vezëve, qendra për grumbullimin dhe paketimin e mjaltit dhe produkteve tjera të bletëve, dhjetëra fabrika për përpunimin e pemëve dhe perimeve, pijeve alkoolike dhe joalkoolike, reparte për përpunimin e drithërave dhe prodhimeve konditorike, depo etj.

Në të njëjtën kohë industria ekzistuese e ushqimit në Kosovë ka mungesë të stafit të kualifikuar në fushën e teknologjisë ushqimore dhe boshllëqet aktuale janë duke u plotësuar me ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Serbia. Për këtë arsye, është e nevojshme që të zhvillohen kapacitetet dhe burimet në këtë fushë, me qëllim të: uljes së papunësisë,promovimit dhe të avancimit të përpunimit të ushqimit vendor, si dhe për kontrollin e ushqimit vendor dhe/ose të importuar dhe për të përmbushur kërkesat e tregut të punës të Kosovës lidhur me teknologjinë ushqimore.

Pra, qëllimi kryesor i këtij programi është edukimi dhe formimi profesional i të interesuarve që vijnë nga Teknologjia Ushqimore (Bsc), shkencat natyrore dhe inxhinjerike, me qëllim të ndërlidhjes së shkencave natyrore (Biologjia, Kimia)) me teknologjinë përpunuese dhe prodhuese në nivelin më të lartë shkencor. Fusha profesionale është shumë e gjerë dhe përfshin veprimtaritë në hulumtimet shkencore dhe zhvillimore, planifikim dhe përdorim të teknikave dhe pajisjeve për përpunimin e ushqimit, prodhimin dhe kontrollin e ushqimit me prejardhje bimore dhe shtazore. Ky program përgatit kuadrot në veprimtaritë praktike në fushën përpunimit, prodhimit, planifikimit, sigurimit të cilësisë dhe zhvillimit  dhe krijon një bazë të fortë për studentët që janë të orientuar për zhvillim të mëtutjeshëm në fushën e shkencës së ushqimit.

Administrimi

Programi i studimit Msc. Shkenca e ushqimit që ofrohet nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë administrohet nga Departamenti i Teknologjisë Ushqimore me Bioteknologji nën mbikëqyrjen e organeve përkatëse të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Misioni i këtij programi është në harmoni të plotë me misionin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, siç thuhet në aktin e tij më të lartë ligjor – statutin e UP-së.

Për sa i përket administrimit, ekzistojnë politika formale, udhëzime dhe rregullore që kanë të bëjnë me çeshtje të përsëritura procedurale ose akademike. Të gjitha këto janë publike në web faqen zyrtare të UP, për të gjithë stafin dhe studentët si dhe palët e tjera të interesuara.

Në Universitetin e Prishtinës, procesi për zhvillim të kurrikulit kryhet në mënyrë të planifikuar dhe sistematike. Formulimi i një programi të studimit te ne nuk shihet si kulm i procesit të zhvillimit të kurrikulit, por më shumë si një hap thelbësor dhe proces i vazhdueshëm për zhvillimi të kurrikulit.

Andaj, përmes prorektorit për Zhvillim të Cilësisë, Zyra për Zhvillim Akademik përkrah reformat në Universitet dhe kontribuon në ngritje të kapaciteteve në UP me qëllim të arritjes së parimeve të Bolonjës dhe trendëve Evropiane të Arsimit të Lartë. Zyra për Zhvillim Akademik organizon trajnime për kurrikula dhe cilësi me qëllim të zhvillimit të mekanizmave për vlerësim të brendshëm duke u bazuar në linjat vepruese të Bolonjës.

 

Rezultatet e të nxënit

Rezultatet e të nxënit janë të përcaktuara në përputhje me misionin dhe objektivat strategjike të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe janë të harmonizuara me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe praktikat më të mira evropiane të arsimit të lartë. Të diplomuarit nga ky program do të jenë të përgatitur për të punuar në një gamë të gjerë institucionesh dhe ndërmarrjesh publike ose private, duke përfshirë:

Pas përfundimit të Programit Master në Shkencën e Ushqimit, studentët do të kenë:

  1. Aftësi në vlerësimin sensorik/ndijor: Aftësi të fituara për të vlerësuar cilësinë, strukturën dhe shijen e ushqimit dhe interpretimin e të dhënave shqisore për zhvillimin e produktit.
  2. Njohuri të avancuara për sigurinë ushqimore: kuptimi i parimeve të sigurisë ushqimore, vetitë toksikologjike të ndotësve dhe implikimet e tyre shëndetësore.
  3. Komunikimi shkencor efektiv: Mjete të zotëruara për menaxhimin e të dhënave, analizën dhe prezantimin e gjetjeve komplekse shkencore.
  4. Aftësitë e analizës sasiore: Teknika statistikore të aplikuara në kërkimin e ushqimit dhe interpretimi i të dhënave për vendimmarrje në përpunimin e ushqimit.
  5. Njohuri të specializuara për përpunimin e ushqimit: duke u thelluar në shkencën dhe teknologjinë e yndyrave, vajrave, verërave, qumështit dhe mishit, duke siguruar veti optimale shqisore dhe ushqyese.
  6. Teknikat e avancuara analitike: Metodat fiziko-kimike të zotëruara për vlerësimet dhe analizat e ushqimit që garantojnë sigurinë dhe cilësinë.
  7. Kuptimi i strukturave ushqimore: Kuptimi i vetive mikro dhe makro-strukturore të

ushqimeve, duke i modifikuar ato për atributet e dëshiruara shqisore.

  1. Parimet e të ushqyerit njerëzor: Parimet themelore të të ushqyerit dhe zhvillimi i ushqimeve që plotësojnë nevoja të veçanta ushqyese.
  2. Ekspertiza e prodhimit të pijeve: Njohuri të fituara në formulimin, prodhimin dhe paketimin e pijeve joalkoolike.
  3. Inovacioni në Ushqimet Funksionale: Njohja e potencialit shëndetësor të ushqimeve dhe zhvillimi i ushqimeve funksionale dhe lëndë ushqyese të bazuara në prova shkencore.
  4. Inxhinieria në Teknologjinë Ushqimore: Parimet e aplikuara inxhinierike për të optimizuar përpunimin, ruajtjen dhe paketimin e ushqimit.
  5. Ekspertiza pas vjeljes: Adresimi i sfidave që lidhen me trajtimin pas vjeljes, minimizimi i humbjeve dhe sigurimi i cilësisë së ushqimit.
  6. Prodhimi i qëndrueshëm i ushqimit: Njohja e ndikimit mjedisor të prodhimit të ushqimit dhe miratimi i praktikave të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.
  7. Përvoja praktike në industri: Do të përfitojnë përvojë praktike përmes praktikave, duke bashkëpunuar me profesionistë për të kuptuar praktikat më të mira të industrisë.

 

Perspektiva e studimit 

Të diplomuarit nga programi Master në Shkencën e Ushqimit gëzojnë një perspektivë të gjerë punësimi në sektorë të ndryshëm publikë dhe privatë, falë përgatitjes së tyre shkencore, teknike dhe kërkimore. Ata mund të punojnë si teknologë ushqimi, menaxherë të proceseve prodhuese, specialistë të kontrollit të cilësisë, konsulentë të sigurisë ushqimore, apo ekspertë të analizës kimike e mikrobiologjike në laboratorë të certifikuar. Një numër i konsiderueshëm i të diplomuarve mund të angazhohen në agjencitë kombëtare të kontrollit të ushqimit, institucionet shëndetësore, ministritë përkatëse, apo në institucione të standardizimit dhe certifikimit, ku kërkohet njohja e thelluar e rregulloreve evropiane dhe ndërkombëtare mbi cilësinë dhe sigurinë ushqimore.

Përveç kësaj, programi përgatit studentët për të punuar në kompanitë prodhuese të ushqimit dhe pijeve, ku ata mund të marrin pjesë në zhvillimin e produkteve të reja, optimizimin e proceseve teknologjike dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshme në industrinë ushqimore. Të diplomuarit janë gjithashtu të kualifikuar për të vazhduar studimet doktorale ose për t’u përfshirë në projekte kërkimore ndërkombëtare, duke kontribuar në inovacion dhe zhvillim shkencor në fushën e bioteknologjisë ushqimore, ushqimit funksional dhe menaxhimit të burimeve natyrore.

 

IKS Syllabuset : MSc-Shkenca e ushqimit
Publikuar me: 28/01/2026 Shkarko