Teknologji Ushqimore me Bioteknologji

Informata të përgjithshme për programin e studimit: BSc–“Teknologji Ushqimore me Bioteknologji” (IKS) 2024-2027

Përmbledhje e Programit

Misioni, objektivat dhe administrimi

 

Misioni

Misioni i këtij programi studimor është formimi i specialistëve dhe studiuesve në fushën e Shkencave Ushqimore, të cilët zotërojnë njohuri dhe aftësi profesionale për të vepruar në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor. Kjo përfshin trajtimin dhe përpunimin e lëndëve të para me origjinë bimore, shtazore dhe bioteknologjike, si dhe proceset e ambalazhimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore. Programi synon gjithashtu garantimin e cilësisë dhe sigurisë së proceseve dhe produkteve ushqimore përmes zbatimit dhe menaxhimit të sistemeve bashkëkohore të sigurimit të cilësisë së ushqimit. Ky mision realizohet duke nxitur përfshirjen aktive të studentëve, stafit akademik dhe njësive të FBV-së në programe të avancuara edukimi, kërkimi shkencor dhe trajnimi profesional në këto fusha.

Duke u nisur nga mospërputhja e theksuar ndërmjet nevojave reale të tregut të punës për profesionistë të mirëfilltë të shkencave ushqimore dhe strukturës aktuale të ofertës, e cila shpesh mbështetet në profile të ngjashme por jo specifikisht në atë të Teknologut Ushqimor, ky program synon të adresojë drejtpërdrejt këtë boshllëk. Rëndësia e këtij synimi theksohet edhe më shumë nga fakti se punësimi i Teknologut Ushqimor është një kërkesë ligjore për të gjithë operatorët ushqimorë në Kosovë. Në këtë mënyrë, programi kontribuon në rritjen e kapaciteteve profesionale të sektorit ushqimor, si dhe në përmirësimin e cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë ligjore të produkteve ushqimore në vend.

Objektivat e programit

Objektivat tona janë të përqendruara në zhvillimin e qëndrueshëm akademik, shkencor dhe infrastrukturor të programit studimor. Një nga synimet kryesore është zgjerimi dhe forcimi i kapaciteteve laboratorike përmes modernizimit të laboratorëve ekzistues dhe pajisjes së tyre me instrumente bashkëkohore për kontrollin dhe analizën e ushqimit. Krahas kësaj, synohet krijimi i një qendre didaktike prodhuese për përpunimin e mishit, qumështit dhe fruta-perimeve, duke e plotësuar infrastrukturën aktuale që përfshin njësinë ekzistuese për prodhimin e verës.

Një objektiv i vazhdueshëm mbetet ngritja e cilësisë së përgjithshme akademike, përmes përmirësimit të mësimdhënies, fuqizimit të aktivitetit hulumtues dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të stafit akademik, me qëllim ofrimin e mundësive më cilësore dhe konkurruese për studentët. Në këtë kuadër, rëndësi e veçantë i kushtohet nxitjes së kreativitetit dhe inovacionit, duke zbatuar metoda moderne dhe qasje bashkëkohore në mësimdhënie, shërbime akademike dhe kërkim shkencor.

Bashkëpunimi përbën një shtyllë themelore të zhvillimit institucional. Kontributi i përbashkët i stafit dhe studentëve, si dhe zhvillimi i projekteve dhe programeve ndërdisiplinore kërkimore, forcon kulturën e bashkëpunimit brenda fakultetit. Aktualisht, fakulteti është i përfshirë si partner në disa projekte me institucione universitare brenda dhe jashtë vendit, ndërsa synim strategjik mbetet zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet njësive akademike të Universitetit të Prishtinës, si dhe forcimi i lidhjeve ndëruniversitare në nivel vendor, rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.

Në thelb të veprimtarisë sonë qëndron profesionalizmi, i cili reflektohet në standardet e larta në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, si dhe në kultivimin e integritetit akademik te stafi dhe studentët. Po ashtu, diversiteti akademik përbën një vlerë të shtuar, duke ofruar programe të ndryshme studimore dhe perspektiva profesionale që mbështesin përsosmërinë ndërdisiplinore në hulumtim dhe praktikë.

Industria ushqimore në Kosovë ndodhet ende në fazat fillestare të zhvillimit, por përfshin një numër të konsiderueshëm operatorësh të licencuar, si reparte për përpunimin dhe paketimin e qumështit, thertore dhe fabrika për përpunimin e mishit, njësi për përpunimin e shpendëve dhe lepujve, reparte për përpunimin e vezëve, qendra për grumbullimin dhe paketimin e mjaltit dhe produkteve të bletarisë, si dhe dhjetëra fabrika për përpunimin e pemëve, perimeve, pijeve alkoolike dhe joalkoolike, drithërave, produkteve konditorike dhe depo ushqimore.

Megjithatë, industria ushqimore në Kosovë përballet me mungesë të theksuar të kuadrove të kualifikuara në fushën e teknologjisë ushqimore, çka ka bërë që këto nevoja të mbulohen pjesërisht nga ekspertë të angazhuar nga vendet fqinje dhe rajoni. Për këtë arsye, zhvillimi i kapaciteteve vendore në këtë fushë është thelbësor për reduktimin e papunësisë, avancimin e përpunimit të produkteve ushqimore vendore, forcimin e kontrollit të ushqimit vendor dhe të importuar, si dhe për përmbushjen e kërkesave reale të tregut të punës në Kosovë.

Programi përgatit kuadro të afta për veprimtari praktike në përpunim, prodhim, planifikim, sigurim të cilësisë dhe zhvillim, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për ata studentë që synojnë avancim të mëtejmë akademik dhe shkencor në fushën e shkencës së ushqimit.

Administrimi

Programi i studimit BSc. Teknologji Ushqimore me Bioteknologji që ofrohet nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë administrohet nga Departamenti i Teknologjisë Ushqimore me Bioteknologji nën mbikëqyrjen e organeve përkatëse të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Misioni i këtij programi është në harmoni të plotë me misionin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, siç thuhet në aktin e tij më të lartë ligjor – statutin e UP-së.

Për sa i përket administrimit, ekzistojnë politika formale, udhëzime dhe rregullore që kanë të bëjnë me çeshtje të përsëritura procedurale ose akademike. Të gjitha këto janë publike në web faqen zyrtare të UP, për të gjithë stafin dhe studentët si dhe palët e tjera të interesuara.

Në Universitetin e Prishtinës, procesi për zhvillim të kurrikulit kryhet në mënyrë të planifikuar dhe sistematike. Formulimi i një programi të studimit te ne nuk shihet si kulm i procesit të zhvillimit të kurrikulit, por më shumë si një hap thelbësor dhe proces i vazhdueshëm për zhvillimi të kurrikulit.

Andaj, përmes prorektorit për Zhvillim të Cilësisë, Zyra për Zhvillim Akademik përkrah reformat në Universitet dhe kontribuon në ngritje të kapaciteteve në UP me qëllim të arritjes së parimeve të Bolonjës dhe trendëve Evropiane të Arsimit të Lartë. Zyra për Zhvillim Akademik organizon trajnime për kurrikula dhe cilësi me qëllim të zhvillimit të mekanizmave për vlerësim të brendshëm duke u bazuar në linjat vepruese të Bolonjës.

Rezultatet e të nxënit

Rezultatet e të nxënit janë të përcaktuara në përputhje me misionin dhe objektivat strategjike të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe janë të harmonizuara me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe praktikat më të mira evropiane të arsimit të lartë. Prandaj, pas përfundimit me sukses të studimeve në programin Teknologji Ushqimore me Bioteknologji, studenti do të jetë në gjendje të:

  • Të fitojë njohuri bazë si hyrje në shkencën e ushqimit dhe teknologjinë ushqimore, përfshirë përkufizimet dhe konceptet e përgjithshme që lidhen me shkencën e ushqimit, teknologjinë ushqimore si disiplinë dhe parimet themelore të saj.
  • Të fitojë njohuri teorike dhe praktike mbi produktet me origjinë bimore dhe shtazore, si dhe mbi metodat e ruajtjes para përpunimit.
  • Të ketë njohuri mbi mikrobiologjinë e ushqimit; fermentimin e ushqimit, llojet dhe rolin e mikroorganizmave në këtë proces; si dhe përcaktimin e afatit të ruajtjes së ushqimit.
  • Të interpretojë metodat shkencore bazë të bioteknologjisë bimore dhe shtazore.
  • Të njohë të gjitha proceset teknologjike dhe pajisjet e përdorura në teknologjinë e përpunimit të frutave, perimeve, drithërave etj., deri në produktet finale.
  • Të njohë të gjitha proceset teknologjike dhe pajisjet e përdorura në prodhimin e pijeve alkoolike dhe joalkoolike.
  • Të njohë proceset e therjes dhe përfitimit të mishit nga lloje të ndryshme kafshësh për përpunim teknologjik.
  • Të njohë të gjitha proceset teknologjike dhe pajisjet e përdorura në përpunimin e qumështit dhe mishit deri në produktet përfundimtare.
  • Të njohë të gjitha proceset teknologjike dhe pajisjet e përdorura në prodhimin dhe përpunimin e mjaltit, bimëve mjekësore dhe vezëve, si dhe teknikat e ruajtjes së tyre.
  • Të fitojë njohuri mbi sigurimin dhe kontrollin e cilësisë së ushqimit, menaxhimin e cilësisë, praktikat e mira prodhuese (GMP), praktikat e mira higjienike (GHP) dhe sistemin HACCP, si dhe mbi rregulloret ligjore dhe ekonominë në industrinë ushqimore.
  • Të fitojë njohuri mbi rëndësinë dhe rolin e paketimit të ushqimit.
  • Të demonstrojë një kuptim të plotë të koncepteve dhe parimeve themelore të shkencës së ushqyerjes.
  • Të interpretojë parimet bazë të prodhimit bimor dhe shtazor.
  • Të fitojë njohuri mbi rëndësinë e sigurisë ushqimore dhe metodat e prodhimit të ushqimit të sigurt për konsumatorët.

 

Perspektiva e studimit 

Të diplomuarit nga ky program do të jenë të përgatitur për të punuar në një gamë të gjerë institucionesh dhe ndërmarrjesh publike ose private, duke përfshirë:

Industrinë Ushqimore

Të punojnë në fabrika dhe kompani të përpunimit dhe prodhimit të ushqimeve, ku mund të angazhohen në proceset e prodhimit, kontrollit të cilësisë, dhe kërkimit dhe zhvillimit të produkteve të reja ushqimore. Poashtu, të kontribuojnë në hulumtime dhe zhvillime në fushën e bioteknologjisë për të zhvilluar procese të reja bioteknologjike që përmirësojnë prodhimin dhe cilësinë e ushqimeve, si dhe përdorimin e mikroorganizmave për prodhimin e produkteve të bio-teknologjisë.

Institucione Shëndetësie dhe të Sigurisë Ushqimore

Të punojnë në agjenci ose institucione që merren me sigurinë ushqimore, inspektimin dhe kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, si dhe menaxhimin e riskut në industrinë ushqimore.

Organizata Ndërkombëtare dhe Institucione Regjionale

Të angazhohen në agjenci ndërkombëtare që mbikëqyrin cilësinë dhe sigurinë ushqimore, si dhe në organizata që zhvillojnë politika dhe standarde për sektorin ushqimor.

Bujqësi dhe Veterinari

Të punojnë me fermat dhe industrinë e prodhimit të produkteve bimore dhe shtazore, duke aplikuar teknologjitë për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore të bazuara në burime bimore dhe shtazore.

Konsulencë Shkencore

Të ofrojnë shërbime konsulence për ndërmarrjet që merren me prodhimin dhe përpunimin e ushqimeve, duke ofruar këshilla për optimizimin e proceseve dhe përmbushjen e standardeve të sigurisë dhe cilësisë ushqimore.

Edukim

Të angazhohen si profesionistë të fushës në institucione edukimi dhe trajnimi për t'u ofruar studentëve dhe profesionistëve të rinj njohuri dhe aftësi në fushën e teknologjisë ushqimore dhe bioteknologjisë.

Agjenci dhe Autoritete Shtetërore

Të angazhohen në pozita menaxheriale dhe administrative në agjenci dhe autoritete shtetërore që merren me politikën ushqimore, ligjet dhe standardet e sigurisë ushqimore, si dhe rregullat që lidhen me prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve.

Të diplomuarit e këtij programi do të jenë gjithashtu të përgatitur për të themeluar dhe drejtuar ndërmarrje të vogla dhe të mesme në sektorin e ushqimit, si dhe për të përfituar mundësi në industri të reja që kërkojnë njohuri të thella në bioteknologjinë ushqimore dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara.

Gjithashtu, pas përfundimit të këtij programi të diplomuarit do të jenë të përgatitur për të vazhduar studimet në nivelin Master “Shkenca e Ushqimit” në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.

 

IKS Syllabuset : Teknologji Ushqimore me Bioteknologji
Publikuar me: 28/01/2026 Shkarko