Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit
Informata të përgjithshme për programin e studimit: MSc – Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit (IKS) 2024-2027
Përmbledhje e Programit
Misioni, objektivat dhe administrimi
Misioni
Misioni i programit të studimit Master në Ekonomi e Bujqësisë dhe Ushqimit është të ofrojë arsimim cilësor, të përqendruar tek studenti, i cili i pajis të diplomuarit me njohuri të avancuara dhe aftësi analitike për adresimin e sfidave ekonomike, mjedisore dhe sociale në bujqësi dhe sistemet e ushqimit. Programi integron mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe angazhimin praktik për të mbështetur vendimmarrjen e bazuar në evidencë, qëndrueshmërinë dhe praktikën profesionale etike. Ai është i dizajnuar për të rritur punësueshmërinë e të diplomuarve dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, duke harmonizuar kurrikulën me nevojat e tregut të punës në Kosovë, si dhe duke u përshtatur me zhvillimet rajonale dhe procesin e integrimit evropian në sektorin agro-ushqimor.
Objektivi i përgjithshëm i programit të studimit
Objektivi i përgjithshëm i programit të studimit Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit është zhvillimi i të diplomuarve me kualifikime të larta, të pajisur me kompetenca të avancuara analitike, kërkimore dhe profesionale për të kuptuar dhe adresuar sfidat komplekse ekonomike në sistemet e bujqësisë dhe ushqimit. Programi synon t’u mundësojë studentëve kryerjen e kërkimeve shkencore të pavarura, kontributin në hartimin e politikave të bazuara në evidencë, mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbatimin e analizës ekonomike në proceset e vendimmarrjes përgjatë zinxhirit të vlerës bujqësor dhe ushqimor.
Objektivat specifike
Objektivat specifike të programit të studimit Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit janë:
- Të ofrojë njohuri të avancuara teorike dhe të aplikuara në ekonominë bujqësore dhe ushqimore, përfshirë ekonominë e prodhimit, analizën e zinxhirit të vlerës, sjelljen e konsumatorit dhe dinamikat e tregut.
- Të zhvillojë kompetenca të forta në kërkimin shkencor, duke përfshirë formulimin e hipotezave, dizajnimin e kërkimit, zbatimin e metodave të përshtatshme sasiore dhe cilësore, analizën e të dhënave dhe interpretimin kritik të rezultateve.
- Të forcojë kapacitetin e studentëve për të analizuar politikat bujqësore dhe ndikimin e tyre mbi fermerët, tregjet, konsumatorët dhe zhvillimin rural, me theks të veçantë në qëndrueshmëri dhe menaxhimin e rrezikut.
- T’i pajisë studentët me aftësi për të vlerësuar shpërndarjen efikase të burimeve kyçe si toka, puna dhe kapitali, si dhe për të analizuar performancën ekonomike në kushte pasigurie dhe paqëndrueshmërie të tregut.
- Të nxisë të kuptuarit ndërdisiplinor të ndërveprimeve ndërmjet ekonomisë, bujqësisë, sistemeve ushqimore dhe mjedisit.
- Të promovojë mësimnxënien e përqendruar tek studenti përmes qasjeve moderne të mësimdhënies, mjeteve digjitale dhe metodave të vlerësimit të bazuara në rezultate.
- Të përmirësojë aftësitë profesionale, komunikuese dhe të punës në ekip për të mundësuar bashkëpunim efektiv në mjedise akademike, institucionale dhe me palë të interesit.
- Të forcojë bashkëpunimin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar përmes projekteve të përbashkëta, mobilitetit akademik dhe bashkëpunimit me universitete, institucione kërkimore dhe partnerë nga industria.
- Të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe kërkimore përmes angazhimit me staf të kualifikuar dhe ekspozimit ndaj praktikave më të mira ndërkombëtare në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.
Administrimi i programit
Programi i studimit Master në Ekonomi të Bujqësisë dhe Ushqimit administrohet nga Departamenti i Agroekonomisë në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV), nën mbikëqyrjen e organeve drejtuese të Fakultetit dhe të Universitetit të Prishtinës. Programi funksionon në përputhje të plotë me misionin, statutin dhe objektivat strategjike të UP-së dhe FBV-së. Ai udhëhiqet nga politika, rregullore dhe procedura të qarta, të cilat janë publike në faqet zyrtare të universitetit dhe fakultetit dhe zbatohen përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS). Zhvillimi, rishikimi dhe zbatimi i programit ndjekin një proces të planifikuar, sistematik dhe të vazhdueshëm të sigurimit të cilësisë, në përputhje me Procesin e Bolonjës dhe standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Mbikëqyrja sigurohet nga Prorektori për Sigurimin e Cilësisë, Zyra për Sigurimin e Cilësisë, koordinatori i cilësisë në nivel fakulteti dhe stafi akademik përgjegjës për këtë program studimi.
Zhvillimi dhe rishikimi i kurrikulës iniciohen nga Departamenti i Agroekonomisë, duke u bazuar në nevojat e tregut të punës, zhvillimet socio-ekonomike dhe kapacitetet e brendshme të FBV-së. Propozimet shqyrtohen dhe miratohen nga Komisioni i Studimeve në Fakultet, Këshilli i Fakultetit, Senati i Universitetit dhe Zyra për Sigurimin e Cilësisë, përpara dërgimit në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës. Për koordinimin në të gjitha fazat janë përgjegjës Shefi i Departamentit dhe Dekani.
Procedurat e vlerësimit të studentëve, format e provimeve, kriteret e notimit dhe rregullat e progresit në studime rregullohen me Rregulloren për Studime Master dhe Statutin e UP-së. Vlerësimi përfshin vlerësimin e vazhdueshëm (teste, seminare, studime rasti, pjesëmarrje) dhe provimet përfundimtare (me shkrim dhe/ose me gojë). Të gjitha rezultatet e vlerësimit dhe raportet e përfundimit të lëndëve menaxhohen dhe monitorohen përmes SEMS-it.
Procedurat për temat e tezës së Masterit, mbikëqyrjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e saj rregullohen me rregulloret universitare për studime. Integriteti akademik zbatohet në mënyrë rigoroze përmes rregulloreve të universitetit dhe fakultetit, duke përfshirë masat kundër plagjiaturës, deklaratat e detyrueshme të origjinalitetit, publikimin e temave dhe mbikëqyrjen nga komisionet etike në nivel fakulteti dhe universiteti. Shkeljet trajtohen me masa disiplinore në përputhje me rregulloret e UP-së. Rezultatet e të nxënit dhe cilësia e mësimdhënies monitorohen vazhdimisht përmes pyetësorëve të studentëve, mekanizmave të brendshëm të sigurimit të cilësisë, raportimit përmes SEMS-it dhe vlerësimeve të rregullta ose të paplanifikuara nga Agjencia e Akreditimit. Materialet mësimore, planprogramet dhe realizimi i mësimit monitorohen sistematikisht për të siguruar përputhjen me kurrikulën e miratuar.
Të gjitha rregulloret që lidhen me programin e studimit, rekrutimin dhe avancimin e stafit akademik, sjelljen etike, marrëdhëniet student–institucion dhe sigurimin e cilësisë janë publike dhe të qasshme. Këto përfshijnë rregulloret për zgjedhjen dhe avancimin e stafit, kodet etike, rregulloret e studimeve dhe procedurat e riakreditimit. Universiteti i Prishtinës dhe FBV janë të përkushtuara ndaj barazisë gjinore, përfshirjes dhe qasjes së barabartë, përfshirë mbështetjen për studentët me aftësi të kufizuara, studentët nga komunitetet minoritare dhe studentët ndërkombëtarë. Ky përkushtim mbështetet përmes planeve institucionale të veprimit dhe strukturave të posaçme mbështetëse.
Rezultatet e të nxënit
Pas përfundimit të studimeve, studentët do të kenë zhvilluar aftësitë, njohuritë dhe kompetencat e nevojshme për të kuptuar dhe zbatuar në mënyrë të avancuar konceptet e bujqësisë, ekonomisë ushqimore dhe zhvillimit rural.
Në veçanti, ata do të jenë në gjendje të:
- Kuptojnë në mënyrë të thelluar parimet themelore të shkencës dhe profesionit në fushën e ekonomisë bujqësore dhe ushqimore, duke i lidhur ato me çështjet bashkëkohore të zhvillimit të qëndrueshëm.
- Analizojnë dhe interpretojnë ndërveprimet komplekse ndërmjet sistemeve të ekonomisë, bujqësisë, ushqimit dhe mjedisit, duke përdorur qasje ndërdisiplinore.
- Zhvillojnë aftësi të avancuara në analizën e të dhënave, metodologjitë e kërkimit dhe të menduarit kritik, me qëllim adresimin efektiv të sfidave ekonomike dhe bujqësore.
- Kryejnë kërkime të pavarura mbi probleme teorike dhe praktike, duke propozuar zgjidhje dhe të zbatueshme në praktikë.
- Demonstrojnë aftësi për punë ekipore dhe komunikim profesional, duke kontribuar në zhvillimin e shkencës, inovacionit dhe përparimit të profesionit.
- Transferojnë në mënyrë efektive njohuritë dhe idetë tek kolegët, komuniteti akademik dhe shoqëria, duke forcuar rolin e ekspertit në shërbim të zhvillimit të ekonomisë bujqësore dhe ushqimit.
- Kuptojnë dhe menaxhojnë faktorët e rrezikut në bujqësi, si ndryshueshmëria klimatike, luhatjet e tregut dhe aplikimi i mjeteve të menaxhimit të rrezikut (p.sh., sigurimi bujqësor dhe diversifikimi i prodhimit).
- Vlerësojnë rolin e bujqësisë në zhvillimin rural, në krijimin e vendeve të punës, gjenerimin e të ardhurave dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të komuniteteve rurale.
- Zbatojnë njohuritë e fituara në praktikë përmes analizës së politikave bujqësore, ekonomisë mjedisore dhe konsumatorit, duke promovuar bujqësinë e qëndrueshme dhe ekonominë e gjelbër.
- Diskutojnë në mënyrë kritike çështje që lidhen me financimin në bujqësi, pabarazitë rurale-urbane, punësimin e të rinjve dhe bashkëpunimin ndërmjet universitetit dhe sektorit sipërmarrës, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj zhvillimit ekonomik.
Perspektiva e studimit
Të diplomuarit nga ky program do të jenë të përgatitur për të punuar në një gamë të gjerë institucionesh dhe ndërmarrjesh publike ose private, duke përfshirë:
- Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
- Agjensionin e Veterinës dhe Ushqimit;
- Industrinë përpunuese ushqimore të sektorit privat;
- Shkolla të mesme profesionale;
- Inspektorate komunale dhe qendrore;
- Shoqata që lidhen me bujqësinë dhe ushqimin;
- Vetëpunësohen me krijim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjithashtu, pas përfundimit të ketij programi të diplomuarit do të jenë të përgatitur për të vazhduar studimet në nivelin e Doktoratës në fushën përkatëse.
IKS_Sylabuset: Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit
Publikuar me: 02/02/2026
Shkarko