Ekonomia e Bujqësisë
Informata të përgjithshme për programin e studimit: BSc –“Ekonomia e Bujqësisë” (IKS) 2024-2027
Përmbledhje e Programit
Misioni, objektivat dhe administrimi
Misioni
Misioni i programit studimor në Ekonominë e Bujqësisë është të transmetojë njohuri të reja dhe të zhvillojë udhëheqës në Ekonominë e Bujqësisë duke nxitur një kuptim të plotë të ekonomisë bujqësore, praktikave të qëndrueshme dhe duke pajisur të rinjtë e diplomuar me aftësi analitike të rëndësishme për kompanitë e agribiznesit në vendin tonë, si dhe të jenë në gjendje të adresojnë sfidat bujqësore, duke marrë për bazë kujdesin për mjedisin dhe përgjegjësitë shoqërore. Programi studimor në Ekonominë e Bujqësisë ka një vizion afatgjatë për të përmbushur misionin e krijimit të një perspektive për brezin e ri duke modernizuar dhe reformuar programin studimor në përputhje me kërkesat e tregut të punës në Kosovë, si dhe me integrimin rajonal dhe atë evropian në fushën e ekonomisë bujqësore.
Objektivat
Qëllimi i përgjithshëm i programit të studimeve Bachelor në Ekonominë e Bujqësisë është të ofrojë studentëve njohuri themelore, aftësi praktike dhe kompetenca me bazë kërkimore në fushën e ekonomisë bujqësore. Programi synon të përgatisë të diplomuarit të aftë për të kuptuar dhe analizuar çështje ekonomike që lidhen me bujqësinë, agrobiznesin dhe zhvillimin rural, si dhe për të aplikuar arsyetimin ekonomik dhe qasjet e bazuara në prova në kontekste profesionale. Programi i studimeve pajis studentët me aftësinë për të përdorur literaturën akademike dhe profesionale të përshtatshme, për të kuptuar pyetjet dhe hipotezat bazë kërkimore, për të aplikuar metoda të njohura kuantitative dhe kualitative, dhe për të interpretuar të dhënat dhe rezultatet ekonomike në mënyrë të strukturuar dhe kritike. Pas përfundimit të programit, të diplomuarit t do të zotërojnë kompetencat e nevojshme për pozicione profesionale fillestare dhe për zhvillim të mëtejshëm akademik në ekonominë bujqësore, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor dhe mirëqenies sociale në përgjithësi.
Objektivat specifike
Objektivat specifike të programit të studimit Ekonomia e Bujqësisë janë:
1. Sigurimi i njohurive themelore teorike dhe të aplikuara në ekonominë bujqësore, duke përfshirë ekonominë e prodhimit, menaxhimin e fermës, agrobiznesin, zinxhirët e vlerës, politikat bujqësore, financat në bujqësi, sjelljen e konsumatorit dhe funksionimin e tregut.
2. Zhvilloj aftësitë bazë kërkimore dhe analitike, duke u mundësuar studentëve të kuptojnë problemet kërkimore, të formulojnë hipoteza të thjeshta, të aplikojnë metodat themelore të duhura si ato sasiore dhe cilësore dhe të analizojnë dhe interpretojnë të dhënat ekonomike në bujq.
3. Forcon aftësinë e studentëve për të kuptuar dhe analizuar politikat bujqësore, duke përfshirë ndikimet e tyre ekonomike, sociale dhe mjedisore në fermë, tregje, konsumatorë dhe zhvillimin rural.
4. Pajis studentët me aftësi për të vlerësuar përdorimin e burimeve kryesore, si toka, puna dhe kapitali, dhe për të vlerësuar performancën ekonomike dhe produktivitetin në sistemet bujqësore dhe agrobiznesit në kushte pasigurie.
5. Nxis një perspektivë ndërdisiplinore, duke integruar njohuritë nga ekonomia, bujqësia, sistemet ushqimore dhe studimet mjedisore për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm.
6. Promovoj mësimdhënien e përqendruar tek studenti, përmes metodologjive të mësimdhënies moderne, përdorimit të mjeteve digjitale dhe praktikave të vlerësimit bazuar në rezultatet e të nxënit.
7. Zhvilloj aftësi profesionale, komunikimit dhe punës në grup, duke përgatitur studentët për bashkëpunim efektiv në mjedise akademike, institucionale dhe të orientuara nga palët e interesit.
8. Inkurajoj ekspozimin ndaj perspektivave kombëtare dhe ndërkombëtare, përmes bashkëpunimit me universitete, institucione kërkimore dhe partnerë të industrisë, duke mbështetur mobilitetin akademik dhe mundësitë për të mësuar praktikisht.
Administrimi
Programi i studimit Bachelor në Ekonomi të Bujqësisë administrohet nga Departamenti i Agroekonomisë në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV), nën mbikëqyrjen e organeve drejtuese të Fakultetit dhe të Universitetit të Prishtinës. Programi funksionon në përputhje të plotë me misionin, statutin dhe objektivat strategjike të UP-së dhe FBV-së. Ai udhëhiqet nga politika, rregullore dhe procedura të qarta, të cilat janë publike në faqet zyrtare të universitetit dhe fakultetit dhe zbatohen përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS). Zhvillimi, rishikimi dhe zbatimi i programit ndjekin një proces të planifikuar, sistematik dhe të vazhdueshëm të sigurimit të cilësisë, në përputhje me Procesin e Bolonjës dhe standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Mbikëqyrja sigurohet nga Prorektori për Sigurimin e Cilësisë, Zyra për Sigurimin e Cilësisë, koordinatori i cilësisë në nivel fakulteti dhe stafi akademik përgjegjës për këtë program studimi.
Zhvillimi dhe rishikimi i kurrikulës iniciohen nga Departamenti i Agroekonomisë, duke u bazuar në nevojat e tregut të punës, zhvillimet socio-ekonomike dhe kapacitetet e brendshme të FBV-së. Propozimet shqyrtohen dhe miratohen nga Komisioni i Studimeve në Fakultet, Këshilli i Fakultetit, Senati i Universitetit dhe Zyra për Sigurimin e Cilësisë, përpara dërgimit në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës. Për koordinimin në të gjitha fazat janë përgjegjës Shefi i Departamentit dhe Dekani.
Procedurat e vlerësimit të studentëve, format e provimeve, kriteret e notimit dhe rregullat e progresit në studime rregullohen me Rregulloren për Studime Bachelor dhe Statutin e UP-së. Vlerësimi përfshin vlerësimin e vazhdueshëm (teste, seminare, studime rasti, pjesëmarrje) dhe provimet përfundimtare (me shkrim dhe/ose me gojë). Të gjitha rezultatet e vlerësimit dhe raportet e përfundimit të lëndëve menaxhohen dhe monitorohen përmes SEMS-it.
Procedurat për temat e tezës Bachelor, mbikëqyrja, vlerësimi dhe mbrojtja e saj rregullohen me rregulloret universitare për studime. Integriteti akademik zbatohet në mënyrë rigoroze përmes rregulloreve të universitetit dhe fakultetit, duke përfshirë masat kundër plagjiaturës, deklaratat e detyrueshme të origjinalitetit, publikimin e temave dhe mbikëqyrjen nga komisionet etike në nivel fakulteti dhe universiteti. Shkeljet trajtohen me masa disiplinore në përputhje me rregulloret e UP-së. Rezultatet e të nxënit dhe cilësia e mësimdhënies monitorohen vazhdimisht përmes pyetësorëve të studentëve, mekanizmave të brendshëm të sigurimit të cilësisë, raportimit përmes SEMS-it dhe vlerësimeve të rregullta ose të paplanifikuara nga Agjencia e Akreditimit. Materialet mësimore, planprogramet dhe realizimi i mësimit monitorohen sistematikisht për të siguruar përputhjen me kurrikulën e miratuar.
Të gjitha rregulloret që lidhen me programin e studimit, rekrutimin dhe avancimin e stafit akademik, sjelljen etike, marrëdhëniet student–institucion dhe sigurimin e cilësisë janë publike dhe të qasshme. Këto përfshijnë rregulloret për zgjedhjen dhe avancimin e stafit, kodet etike, rregulloret e studimeve dhe procedurat e riakreditimit. Universiteti i Prishtinës dhe FBV janë të përkushtuara ndaj barazisë gjinore, përfshirjes dhe qasjes së barabartë, përfshirë mbështetjen për studentët me aftësi të kufizuara, studentët nga komunitetet minoritare dhe studentët ndërkombëtarë. Ky përkushtim mbështetet përmes planeve institucionale të veprimit dhe strukturave të posaçme mbështetëse.
Rezultatet e të nxënit
Rezultatet e synuara të të nxënit për programin Ekonomia e Bujqësisë janë të ndara në tre kategori kryesore: njohuri, aftësi dhe kompetenca. Në fushën e njohurive, studentët duhet të kuptojnë teoritë themelore të ekonomisë bujqësore, politikat bujqësore, menaxhimin e fermës, financat dhe zhvillimin rural. Në aspektin e aftësive, studentët duhet të jenë në gjendje të analizojnë të dhënat e tregut bujqësor dhe të zbatojnë teknikat e menaxhimit të fermës. Në kategorinë e kompetencave, studentët do të zhvillojnë aftësinë për të menaxhuar projekte bujqësore, duke marrë parasysh parametrat ekonomikë dhe socialë.
Perspektiva e studimit
Të diplomuarit nga ky program do të jenë të përgatitur për të punuar në një gamë të gjerë institucionesh dhe ndërmarrjesh publike ose private, duke përfshirë:
- Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;
- Agjensionin e Veterinës dhe Ushqimit;
- Industrinë përpunuese ushqimore të sektorit privat;
- Shkolla të mesme profesionale;
- Inspektorate komunale dhe qendrore;
- Shoqata që lidhen me bujqësinë dhe ushqimin;
- Vetëpunësohen me krijim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjithashtu, pas përfundimit të ketij programi të diplomuarit do të jenë të përgatitur për të vazhduar studimet në nivelin Master në fushën përkatëse.
IKS_Sylabuset Shqip : Ekonomia e Bujqësisë
Publikuar me: 02/02/2026
Shkarko