Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të kërkimit shkencor, stafi akademik i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë mori pjesë në Research School "Integrated Modeling and Decision Support for Sustainable Agri-Food Systems", të organizuar në CIHEAM, Montpellier - Francë, në bashkëpunim me projektet NATAE dhe DIONYSUS. Trajnimi u fokusua në përdorimin e modeleve matematikore dhe metodave të optimizimit për mbështetjen e vendimmarrjes në sektorin agro-ushqimor, duke adresuar sfidat e ndryshimeve klimatike, menaxhimit të burimeve natyrore dhe tranzicionit drejt bujqësisë së qëndrueshme.
Programi përfshiu ligjërata teorike dhe ushtrime praktike mbi modelimin e fermës, simulimin e politikave bujqësore, analizën e kompromisit ndërmjet objektivave ekonomike dhe mjedisore, si dhe qasjet e integruara për menaxhimin e sistemeve agroushqimore. Një nga sesionet kryesore prezantoi rastin studimor të Shqipërisë, duke demonstruar zbatimin praktik të modeleve të mbështetjes së vendimmarrjes në hartimin e politikave dhe zhvillimin e sektorit bujqësor.
Pjesëmarrja në këtë trajnim përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve akademike dhe kërkimore të fakultetit, duke kontribuar në përmirësimin e mësimdhënies, zhvillimin e projekteve shkencore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione prestigjioze evropiane në fushën e ekonomisë bujqësore, modelimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
