Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i Universitetit të Prishtinës njofton me kënaqësi se është realizuar me sukses zhvendosja e telave të tensionit të lartë të lartë që ndodheshin në afërsi të ndërtesës së re të Fakultetit, që ndodhet në zonën industriale. Kjo arritje përbën një hap shumë të rëndësishëm drejt funksionalizimit të plotë të objektit të ri dhe krijimit të kushteve të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve akademike dhe shkencore.
Pas një procesi që ka zgjatur afro dhjetë vjet, falë angazhimit të vazhdueshëm, përkushtimit maksimal dhe punës sistematike të Menaxhmentit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe mbështetjes së plotë nga Universiteti i Prishtinës, KOSTT, MASHT, KEDS është arritur të zgjidhet kjo çështje me rëndësi strategjike për institucionin dhe vendin tonë.
Zhvendosja e linjave të tensionit të lartë eliminon një pengesë të kahmotshme infrastrukturore dhe krijon kushte të sigurta dhe të përshtatshme për funksionalizimin e plotë të ndërtesës së re. Ky zhvillim hap rrugën për zhvendosjen e Fakultetit në objektin e ri, duke mundësuar përmirësim të ndjeshëm të kushteve të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve ndaj studentëve dhe komunitetit.
Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë mbetet i përkushtuar për të avancuar më tej standardet infrastrukturore dhe akademike, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të arsimit dhe sektorit agro-ushqimor në vend.
