Studentët e FBV-së vizitojnë Universitein e Shkencave të Aplikuara në Finlandë, përmes programit BIP të Erasmus+

05 Maj 2025
SHARE

Një javë përvojë unike mbi prodhimin e qëndrueshëm blegtoral në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Savonisë.

Një grup studentësh të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë nga Universiteti i Prishtinës, të shoqëruar nga profesoresha Alltane Kryeziu, morën pjesë në programin e shkëmbimit studimor të Erasmus+, që u mbajt për një javë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Savonias në Iisalmi, Finlandë.

Gjatë kësaj eksperience të pasur akademike dhe kulturore, studentët patën rastin të thellojnë njohuritë e tyre në temën “Sustainable Livestock Production” (Prodhimi i Qëndrueshëm Blegtoral) përmes ligjëratave interactive nga profesorë ndërkombëtarë, punës në grupe ndërkombëtare dhe vizitave në ferma moderne të derrave dhe lopëve, si dhe në qendra kërkimore të avancuara. Diskutimet dhe prezantimet në grupe krijuan hapësirë për shkëmbime të ideve dhe përvojave ndërmjet studentëve tanë dhe atyre nga vende të ndryshme si Finlanda, Gjermania dhe Holanda, duke ofruar një perspektivë të gjerë mbi sfidat dhe mundësitë në sektorin e blegtorisë.

Përveç komponentit akademik, programi përfshiu edhe aktivitete kulturore dhe sociale, të cilat ndihmuan në krijimin e lidhjeve mes studentëve. Studentët tanë patën mundësi të prezantojnë Kosovën dhe trashëgiminë e saj bujqësore, të marrin pjesë në kamping me bashkëmoshatarë nga vendet partnere, të përjetojnë natyrën e mrekullueshme të Finlandës dhe të shohin nga afër fenomenin mahnitës të Aurora Borealis.

Kjo përvojë ishte një dëshmi e qartë se bashkëpunimet ndërkombëtare janë thelbësore për zhvillimin profesional dhe personal të studentëve tanë, ndërsa Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë mbetet i përkushtuar në krijimin e mundësive të tilla për studentët, duke mbështetur iniciativat që nxisin shkëmbimin e njohurive, inovacionin dhe rrjetëzimin ndërkombëtar.

Pjesëmarrja në këtë program është një hap konkret drejt një arsimi më të hapur, më praktik dhe më të lidhur me sfidat globale në sektorin e bujqësisë dhe mjedisit.

Një falënderim i veçantë shkon për Profesoreshat e Universitetit të Savonisë, Anu Tiikkainen dhe Ardita Hoxha-Jahja për koordinimin dhe udhëheqjen e tyre të shkëlqyer gjatë gjithë javës, ku planifikimi, energjia dhe përkushtimi i tyre bëri që gjithçka të shkonte në mëyrë perfekte!

Jemi krenarë që përfaqësuam Universitetin e Prishtinës dhe Kosovën në një eksperiencë kaq domethënëse.