Historiku i Fakultetit

Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë është institucioni i vetëm për arsimim të lartë në lëmin e Bujqësisë në Kosovë, i cili është themeluar në vitin 1973. FBV e filloi punën në tetor të vitit 1974 me dy programe studimore:
Prodhimtaria bimore dhe Blegtoria. Nga viti akademik 1988 - 1989 filloi të jetësohet programi i ri studimor për pemëtari dhe për vreshtari, nga viti akademik 1996 - 1997 programi i ri studimor për veterinari dhe nga viti 2000 programet studimore për agroekonomi dhe për mbrojtje të bimëve.
Programet studimore në FBV, janë në përputhje me nivelin Baçelor dhe me nivelin Master të Kartës së Bolonjës. Duke e parë nevojën e zhvillimit dhe të progresit të mëtutjeshëm të njohurive shkencore, si dhe të ngritjes së Departamentit të Veterinarisë, në tërësi, Fakulteti i Bujqësisë u riemërua në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV). Nga viti akademik 2007 - 2008 në FBV filluan të zbatohen programet studimore në nivelin Master në 4 departamente: Prodhimtari Bimore, Blegtori, Pemëtari-Vreshtari dhe Agroekonomi.
 Në FBV japin mësim 42 profesorë të rregullt, 20 profesorë të jashtëm, 35 magjistra shkence (asistentë), 3 veterinerë të diplomuar, 1 inxhinier i agronomisë (asistent) dhe 4 profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.